Dimri nuk ka plan të largohet për këtë vit. Megjithëse në fillim prilli, ku duhet të dominonte koha me diell dhe era e ngrohtë pranverore, moti i keq me reshje dëbore është kudo prezent në zonat malore.
Zona e Stebleves në Librazhd është mbuluar sërish nga moti i acartë dhe dëbora.
“Vendi ynë gjatë ditës së sotme është përfshirë nga masa ajrore të ftohta. Vlerat minimale në zonat malore mëngjesin e sotëm të kenë regjistruar nga 0 në -1 gradë, ndërsa maksimumet parashikohet të shkojnë jo më shumë se 12 gradë celsius, janë vlerat 7 gradë më të ulëta se vlerat normale. Dita e nesërme përsa i përket temperaturave të ajrit do të sjellë një tjetër rënie në orët e para të mëngjesit duke bërë që vlerat minimale në qytetet e zonës malore të zbresin deri në 2 apo 3 gradë në ndonjë zonë të izoluar në verilindje të territorit shqiptar.”












