Kryeministri Edi Rama ka folur për rritjen e çmimeve nga baret dhe restorantet kryesisht në plazhet e jugut.
Rama tha se restorantet VIP që kanë qenë shumë të frekuentuar më parë dhe kanë rritur çmimet ia kanë futur vetes. Por për ta ndalur abuzimin, Rama tha se shteti do të detyrojë restorantet të vendosin çmimet në një stendë jashtë.
”Jo që s’ka rënie, por turistët e huaj, krahasuar me vjet janë rritur 150%. Patjetër që në vende të caktuara dhe këtu po marr Palasën apo Ksamilin, ku buja u bë shumë e madhe, ka pasur dhe një kërcim irracional të çmimeve, por kjo është çështja e tregut. Gjëja kryesore është se hotelet janë super plot, ndërkohë që numri i restoranteve është rritur shumë më tepër se sa shtretërit. Restorante që kanë qenë shumë të frekuentuar më parë, kanë rritur çmimet dhe ia kanë futur vetes, se njerëz janë zhvendosur në restorante të tjera më pak të njohura, por me çmime më të arsyeshme. Do t’i detyrojmë të gjithë restorantet që çmimet t’i publikojnē në hyrje, që unë të di çfarë paguhet këtu”, tha Rama.












