Vijon procesi i rinumërimit të kutive të Qarkut të Tiranës, ku sot është dita e dytë, teksa deri më tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar rezultatin për 153 Qëndra Votimit.
Nga rinumërimi ka rezultuar se deri më tani Partisë Socialiste i ishin numëruar 105 vota më shumë më 11 Maj, ndërsa Partisë Demokratike 107 vota më shumë. Pas rinumërimit ato vota u janë hequr këtyre dy subjekteve politike.
Po ashtu, edhe “Nismës Shqipëria Bëhet” i janë hequr 11 vota pas rinumërimit, ndërsa Lëvizjes Bashkë 11 vota dhe PSD-së 4 vota. Ndërkohë, Koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës i janë shtuar 6 vota pas rinumërimit.
Procesi në kryeqytet pritet të zgjasë rreth 10 ditë. Pas përfundimit të kësaj faze, do të fillojë rinumërimi në qarkun e Fierit me 587 kuti, e më pas në Durrës, ku do të shqyrtohen 360 kuti votimi, përfshirë 85 kuti që vijnë nga diaspora.












