Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, e cila ka rrëzuar padinë e tij për shpifje ndaj Lulzim Bashës, e ngritur që në vitin 2018. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ironizoi arsyetimin e gjykatëses, duke e cilësuar vendimin si “satirë gjyqësore” dhe si një tregues shqetësues për gjendjen e drejtësisë në vend.
Sipas kreut të qeverisë, gjykata ka argumentuar se ai nuk ka pësuar dëme nga deklaratat e Bashës, pasi ende mban postin e kryeministrit, çka sipas gjykatës nënkupton se “shpifja nuk ka ndikuar në perceptimin e publikut”.
Rama e krahason këtë logjikë me humorin e një libri satirik, ndërsa thekson me ironi se arsyetimi nuk ka dalë nga “Ushtari i mirë Shvejk”, por nga një gjykatëse e paguar më shumë se një mësues apo mjek.
“Hallin nuk e kam te një shpifje që nuk më hoqi dot nga detyra, por te drejtësia e njerëzve të zakonshëm që varet nga gjykatës me logjikë nën nivelin e një 12-vjeçari” – shkruan Rama, duke ngritur shqetësimin për cilësinë e vendimmarrjes gjyqësore në çështje më të ndjeshme për qytetarët.












