Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të enjte “Kryeinspektoriatin Digjital të Territorit”, i cili do të “godasë” ata që duan të veprojnë në mënyrë të paligjshme.
Kryeinspektoriati do të mbulojë aktivitetet shoqërore e shtetërore në territor, nga kontrolli i ndërtimeve tek taksat e tarifat vendore, nga prodhimi bujqësor tek mbrojtja e pyjeve dhe lumenjve.
“Ju prezantoj me një tjetër inovacion të qeverisjes: Kryeinspektoriatin Digjital të Territorit. Videoja është një fragment i shkurtër i informacionit që ky Kryeinspektoriat po mbledh nëpër Shqipëri, për të filluar punën për zbatimin e masave të reja ligjore të kontrollit të territorit. Ky Kryeinspektoriat do të mbulojë hap pas hapi të gjithë gamën e aktiviteteve shoqërore e shtetërore në territor, nga kontrolli i ndërtimeve tek taksat e tarifat vendore, nga prodhimi bujqësor tek mbrojtja e pyjeve dhe lumenjve, duke e bërë punën e strukturave përkatëse më të lehtë, si edhe duke i bërë zullumet e llojllojshme shumë më të vështira”, ka shkruar Rama.
Kryeinspektoriati Digjital i Territorit nis punën pas disa javëve aksion të IKMT-së dhe policisë për lirimin e hapësirave publike të zaptuara nga biznese.












