Kryeministri Edi Rama është shprehur se kritikat e tij ndaj SPAK dhe GJKKO pas prangosjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kanë pasur për qëllim të ndihmojnë dy institucionet e drejtësisë.
Megjithatë kreu i qeverisë u shpreh se nuk do të heshtet kur prokurorë e gjykatës, sipas tij, bëhen një galloshe e vetme.
Rama shton edhe një herë se zgjidhja nuk është shkrirja e SPAK siç propozon ‘bufi i kënetës’ (Sali Berisha), i cili kërcënon Prokurorinë e Posaçme. Në fund Rama e mbyll duke thënë se rruga është e qartë, ose me të dhe në Europë, ose me Berishën, bufin e kënetës dhe sërish në gropë.
“Duke mos heshtur kur Prokuroret dhe Gjykatesit e tejkalojnë kornizën e ligjit me galloshet e Maliqit dhe prokurorë e gjykatës bëhen një galloshe e vetme, si në diktaturë apo në autokraci, jo largqoftë në asnjë mënyrë duke shkrirë SPAK-un apo duke kërcënuar SPAK-un, të cilin duhet ta mbrojmë medoemos në radhë te parë nga bufi dhe nga llumi i kënetës, edhe me votën tonë në 11 maj. Unë do të bëj atë çmos-in e madh që Shqipëria të ngjitet në majën e Bashkimit Evropian e nëse ngjitet, do të ngjitet vetëm sepse ka bërë shtet se ndryshe asaj maje as nuk i qasesh dot. Tani zgjedhja nuk ka qenë kurrë më e qartë; o me mua në Evropë, o me bufin e kënetës prapë atje në gropë!”, tha Rama.












