“Albcontrol” njoftoi së fundmi në sistemin e prokurimeve se lidhi kontratën me kompaninë fituese T B S 96 SHPK për të realizuar blerjen dhe instalimin e sistemit meteorologjik automatik në shërbim të Aeroportit të Vlorës.
Në dokumentet e procedurës kompania publike përcakton se ky sistem është i nevojshëm për rritjen e sigurisë dhe veprimet operacionale në aeroportin në Jug të Shqipërisë.
Sipas të njëjtave sistemi i integruar AWOS/ATIS do të sigurojnë informacionin e kërkuar për planifikimin operacional të aviacionit te kategorisë I (Cat I) dhe për të garantuar siguri të plotë në operacionet e fluturimit ulje/ngritje.
Punimet për plotësimin e infrastrukturës së nevojshme të Aeroportit të Vlorës janë në proces e sipër edhe pse në fillim të majit u mbaj një ceremoni e posaçme e certifikimit të pistës së këtij aeroporti. Pavarësisht këtij fluturimi “certifikues” në këtë aeroport nuk mund të kryhen momentalisht operacione duke përcaktuar se fillimi i aktivitetit nuk pritet të jetë së shpejti.
Këtë e konfirmuan së fundmi edhe turoperatorët e turizmit të cilët nënvizuan se kontratat me garanci që kishin nënshkruar për rajonin e Vlorës me strukturat akomoduese ndoshta do të viheshin në diskutim ose do të operoheshin nga Tirana sipas mundësive për shkak se është e pamundur që këtë vit të ulen charterat sikurse ishte përfolur me herët për aeroportin e ri.












