Drejtorët e Bashkisë Durrës kanë dhënë dorëheqjen pas kërkesës së Kryeministrit Edi Rama.
Gjithashtu kanë paraqitur dorëheqjen edhe kryetarët e njësive administrative. Do të jetë Komisioni i ngritur që do të vendosë se cili do të qëndrojë në detyrë dhe kujt do t’i pranohet dorëheqja.
Komisioni përbëhet nga 5 deputetët e listës së mbyllur: Klodiana Spahiu, Milva Ekonomi, Loer Kume, Skënder Pashaj dhe Aurora Mara, që së bashku me kryebashkiaken Emirjana Sako, njëherazi drejtuese politike e qarkut, do të vlerësojnë performancën e të gjithëve.
Pas Bashkisë, në sitë pritet të kalojnë edhe drejtorët Rajonalë të Drejtorive si fazë e dytë. Procesi pritet të mbyllet brenda muajit korrik dhe secili prej drejtorëve do të vijojë ta mbajë ose jo detyrën pas shqyrtimit të punës së bërë prej tij/saj nga komisioni përkatës.












