Gara për zgjedhjen e drejtorit të ri të Radio Televizionit Shqiptar u mbulua nga akuzat për paligjshmëri, pasi Këshilli Drejtues vendosi të hënën me shumicë votash që të skualifikojë 3 nga 5 kandidatët me pretendimin se nuk plotësojnë kriteret për kualifikim.
Pesë kandidatë të tjerë ishin skualifikuar më parë për mangësi në dosjet e aplikimit. Gjatë votimit të së hënës u skualifikuan nga gara kandidatët Eni Vasili, Kliton Rama dhe Ermal Hoxha, duke thirrur në dëgjesë vetëm dy kandidatë; Jetmir Shpuzën dhe Aurora Polon, kjo e fundit drejtore e komanduar e RTSH-së pas dorëheqjes së Alfred Pezës.
Kryetari i Këshillit Drejtues, Leka Bungo e denoncoi vendimin si të paligjshëm dhe paralajmëroi ankimin e tij në organet e drejtësisë.
“Janë shkelur kriteret e përcaktuara në ligj, duke skualifikuar nga gara gazetarë dhe duke lënë në garë një kandidate si Aurora Polo, e cila është inxhiniere me profesion,” tha Bungo.
Sipas Bungos, ngërçi i krijuar mund të zgjidhet vetëm me ‘shkrirjen e këshillit drejtues të RTSH-së’.












