Ministrat pritet të lehtësohen nga barra e përgjegjësisë dhe firmat shkresore, pasi drejtuesit e drejtorive të sektorëve të ndryshëm do t’iu delegohet vendimmarrja.
Projektligji për ndryshime në funksionimin e administratës shtetërore kërkon të transformojë përgjegjësinë për vendimmarrjen në aparatin e ministrisë dhe institucionet e varësisë, drejt drejtorive, përveç rasteve kur ka përjashtime ligjore apo kur ministri apo sekretari i përgjithshëm vendos shprehimisht me shkrese të mbajë përgjegjësinë vetë.
Administrata publike pritet gjithashtu të riorganizohet dhe të rris llogaridhënien për institucionet e varësisë, si një kërkesë thelbësore e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Tipologjia institucionale ka nevojë për ndërhyrje, shpjegohet në projektligj, ku thuhet se po ndiqen praktikat ndërkombëtare në bazë të përafrimit ligjor me BE; të cilat në analizat për Shqipërinë sugjerojnë mosraportimin në Parlament të Autoriteteve rregullatore të pavarura. Kështu nga tre trupa joministrore, propozohet të mbeten dy lloje, në kategorinë e parë do të mbajnë institucionet e varësisë së bashku me agjencitë aktuale autonome, ndërsa në të dytën do të ketë rikonceptim tërësor për Autoritetet dhe Entet Rregullatore, të cilat do të bëhen pjesë e ekzekutivit, e do të kalojnë në monitorim të punës nga Ministritë.












