Virozat e stinës kanë arritur kulmin në qytetin e Shkodrës, ku prej disa ditësh po shënohen shifra rekord të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore.
Shefja e epidemiologjisë në Shkodër, Dhurata Hysa ka dhënë një panoramë të situatës dhe grupmoshat më të prekura nga variantet dhe nënvariantet e virozave që qarkullojnë në vend.
“Situata epidemiologjike në rrethin e Shkodrës paraqitet mjaft dinamike. Kemi edhe raste me forma klinike serioze që u drejtohen spitaleve rajonale, kryesisht ka edhe shtrime. Muajin e fundit janë mbi 2 mijë raste, ndërsa java e fundit mbi 500 raste. Jemi në shifrat e vitit të kaluar raste që paraqiten kanë diagnozë më serioze krahasuar me vitet e kaluara. Janë të prekur të gjitha moshat por kryesisht fëmiëjt dhe moshat e thyera. Nga kampionet që kemi marrë është identifikuar virusi i tipit A dhe nëntipi AH1. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe t’u shmangemi grumbullimeve dhe të kemi kujdes me higjienën. Është e rëndësishme ushqyerja sa më shumë lëngje ushqimit, supëra, fruta dhe perime”, tha mjekja për A2 CNN.












