Ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Gerapetritis ka komentuar reagimin e kryeministrit Edi Rama një ditë më parë për rastin e Fredi Belerit.
Në një intervistë për televizionin grek ERT, Gerapetritis tha se është hap pozitiv fakti që kryeministri Edi Rama pranoi Fredi Belerin si kryetar të zgjedhur të bashkisë së Himarës.
“Në të vërtetë, ka pasur një hap pozitiv nga ana e kryeministrit shqiptar, i cili në parim pranoi që kemi një kryetar të ri dhe ish-kryetari Goro duhet të largohet patjetër. Më pas do të vlerësojmë nëse veprimet e radhës janë të përputhshme me ato që kemi vënë si kusht”, tha Gerapetritis.
Duke komentuar postimin e kryeministrit të Shqipërisë në rrjetet sociale, Gerapetritis theksoi se: “për herë të parë Edi Rama pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe e quajti shprehimisht Fredi Belerin si kryetar të zgjedhur”.












