Deputetja Monika Kryemadhi ka paditur televizionin “Top Channel” për shpifje lidhur me publikimin e disa dokumenteve ku aludohet se ish-kryetarja e LSI ka kryer biznes me disa oligarkë rusë.
Kryemadhi, e cila i ka quajtur si të falsifikuara këto dokumente që fillimisht u publikuan dhe më pas u fshinë nga gazeta belge “Eureporter”, ka dorëzuar sot padinë në Gjykatën e Tiranës. Kryemadhi tha për mediat se televizioni ka ushtruar presion, shantazh si dhe ka shpifur ndaj saj. Për këtë arsye ajo ka kërkuar 400 mijë euro dëmshpërblim.
“Për momentin kam kërkuar 400 mijë euo, e cila do të jetë një vlerë që më vonë mund të pasurohet më tutje duke pasur parasysh që kjo shumë mund të shtohet nëse shoqëria mediatike mund të shpifë ndaj personit tim”, deklaroi ndër të tjera Kryemadhi.












