Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani do të jetë ai që do të drejtojë përkohësisht Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, pasi mëngjesin e sotëm u njoftua ndarja nga jeta e Kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Përmes një njoftimi për mediat Kisha Orthodhokse sqaron se gjatë mbledhjes së Sinodit të Shenjtë është marrë vendimi për një drejtues të përkohshëm.
“Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme sot, më datë 25 janar 2025, në orën 11:30. Në këtë seancë, Sinodi shprehu dhimbjen e thellë për fjetjen në Zotin të Atit dhe Kryebariut tonë, Kryepiskopit të ndjerë të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit. Gjithashtu, Sinodi i Shenjtë mori këto vendime: Zgjedhjen e Mitropolitit të Korçës, Imzot Joanit, si Mbikqyrës (Locum Tenens) të Fronit Kryepiskopal. Shpalljen e zisë kishtare për pesë ditë, nga datat 25 – 29 janar 2025.”












