Një 40-vjeçar nga Tirana është identifikuar dhe gjobitur me 200 mijë lekë të vjetra për një manovër të rrezikshme që ka kryer me motorin e tij në autostradën “Fushë Milot – Thumanë”.
Nga pamjet e pablikuara në rrjetet sociale, 40 vjeçari në një moment vendos këmbët sipër motorit dhe e drejton pa duar njësoj si nëpër ‘filmat aksion’.
“Si rezultat i veprimeve të menjëhershme procedurale, të kryera nga shërbimet e Policisë Rrugore të Lezhës, pas publikimit të një video-je në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një drejtues motomjeti, duke kryer një manovër të rrezikshme për veten dhe për përdoruesit e tjerë të rrugës, në aksin rrugor “Fushë Milot – Thumanë”, u bë identifikimi i shtetasit D. Sh., 40 vjeç, banues në Tiranë, si dhe ndëshkimi i tij me masë administrative 20 000 lekë të rinj, për shkelje të pikave 2 dhe 3, të nenit 139 të Kodit Rrugor”- njofton policia.












