Qeveria Rama po përpiqet t’i japë një zgjedhje përfundimtare problematikës së ujërave të ndotura që derdhen përgjatë gjithë vijës bregdetare, asaj liqenore dhe të lumenjëve në të gjithë vendin.
Të gjitha pikat turistike “Agroturizëm”, “Bujtinë”, “Hotel”, “Resort”, etj., do të përballen me gjoba të rënda deri në mbyllje të aktiviteteve, nëse nuk vendosin impiante apo nuk bëjnë sistem të grumbullimit, trajtimit dhe largimit të ujërave të ndotura, në mënyrë që mos i shkarkojnë ato në det, liqene apo lumenjë.
Për këtë qëllim qeveria ka nxjerrë një Akt Normativ, i cili ka si qëllim ngritjen e një Task – Force, që do të drejtohet në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga kryeministri, Edi Rama.
“Në Dhërmi, Borsh, Ksamil, Llaman, Karpen, Golem, Spille, Hamallaj, Pogradec, Lezhë, vijon punën task forca për të monitoruar dhe certifikuar vendosjen e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotur nga subjektet që operojnë pranë ujërave larës. Një proces që rrit e përmirëson cilësinë e turizmit në Shqipëri”, shkruan Rama.












