Nga lodrat te veshjet e këpucët, pa kursyer as flamurin kombëtar… Në dyqane apo tregjet e Tiranës mund të blesh lirshëm produkte false. Kryesisht të ardhura nga Kina, ato i gjen të ekspozuara ngado, në pritje të blerësve që joshen nga çmimet e lira.
Për të kufizuar qarkullimin e këtyre produkteve, me qëllim garantimin e konkurrencës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për markat tregtare”.
Albana Laknori, eksperte e pronësisë intelektuale, tha për A2 CNN: “Shtohen nocione të reja në ligj. Te pjesa e markave shtohen masa kufizuese. Duke qenë se problematika e mallrave të falsifikuara është goxha e zhvilluar, atëherë si ta kufizojmë atë duke bërë që institucionet të ndërveprojnë, me në krye ISHMT”.
Projektligji i ri synon të lehtësojë procedurën që duhet të ndjekë një biznes për regjistrimin e emrit si dhe sjell risi sa i takon markave ndërkombëtare duke qenë se tashmë jemi pjesë e një tregu të hapur global.












