U deshën dhjetëra skandale me ushqime të kontaminuara që shiten në tregun shqiptar, që qeveria Rama të mendojë vendimin drastik për të shkrijë Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU).
Ligji i ri i inspektimeve përcakton se të gjitha inspektoratet e vendit do të shkrihen në vetëm 8 inspektorate qendrore, të cilat do të kenë të bëjnë vetëm me disa fusha specifike që Ministria e Sipërmarrjes do t’i caktojë në sajë të riskut.
Një nga këto 8 inspektorate qendrore do të ketë edhe një strukturë që do të trajtojë çështjet e ushqimit, që aktualisht e bën AKU dhe që brenda vitit do të zëvendësohet me “strukturën përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve”.
Ky ligj është publikuar në Fletoren Zyrtare më 13 nëntor dhe hyn në fuqi në 13 maj. Më tej institucionet kanë 6 muaj të plotësojnë aktet nënligjore, për të ngritur 8 inspektoratet e tjera.












