Kryeministri Edi Rama i bëri një thirrje demokratëve të Tropojës për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Teksa vlerësoi punën e bërë nga kryebashkiaku Rexh Byberi, Rama u shpreh se demokratët nuk kanë arsye pse të votojnë Ilir Metën dhe ironizoi Sali Berishën, i cili nuk e ka emrin te fleta e votimit. Ndër të tjera, Rama nënvizoi se Tropoja do ecë përpara me projektet dhe punët vetëm me Partinë Socialiste dhe nuk duhet të kthehet mbrapa.
“Nëse duan që Tropoja, edhe këto rrugë që ka, të fillojnë dhe t’ia hajnë qentë dhe të kthehet mbrapa, të kthehen mbrapa aty ku ishin, por nuk ua ka fajin as Edi Rama pastaj dhe as Partia Socialiste, ua ka fajin zorra qorre dhe koka e vet, që nuk e di se pse i ka ngelur ora në të shkuarën. Do çohen demokratët e Tropojës, do marrin rrugën te kutia e votimit, bashkë fitojmë, Like floriri. Ka degjenerim më të madh? Ka turp më të madh, për ata që i thonë vetes jam demokrat, jam i djathtë, nuk dua t’i shoh me sy ata të tjerët. A ka turp më të madh?”, tha Rama.












