Një qendër e re kulturore, në një infrastrukturë tërësisht moderne, do t’i shtohet kryeqytetit, si ekspozuese dhe promovuese e vlerave të traditës dhe artit shqiptar.
Godina e ish-Komandës së Gardës së Republikës, do të transformohet në qendrën “Trashëgimia për të gjithë – Garda”, falë bashkëpunimit të Bashkisë së Tiranës me Qendrën Shqiptare të Trashëgimisë.
Rijetëzimi i kësaj godine dhe kthimi i saj në një qendër kulturore, të vetëqendrueshme, për zhvillimin e krijimtarisë përmes kulturës dhe dijes, – do të mundësojë promovimin e vlerave të traditës dhe vlerave kulturore unike, nxitjen e aktiviteteve artistike kulturore dhe edukative në kryeqytet.
Rama tha se Qendra e Gardës do të jetë një atraksion dhe një vlerë e shtuar në Tiranë që do të ruajë, konservojë dhe do të mundësojë aksesin e publikut në një seri objektesh me vlera të rralla dhe të veçanta për historinë, traditën, kulturën dhe artin shqiptar, objekte këto në pronësi të subjekteve private.












