Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot në Elbasan projektin për ndërtimin e Automotoparkut.
Sipas shefit të qeverisë ky automotopark do të mirëpresë edhe garat më prestigjioze të Formula 1.
Kreu i qeverisë e cilësoi projektin si një motor i ri për ekonominë e vendit, ndërsa riktheksoi se gara e Formula 1 në Elbasan do të ndiqet nga 1 miliardë njerëz anembanë botës.
“Zhvillojmë projektin e Auto Moto Park, një projekt i detajuar plotësisht në bashkëpunim me Formula 1, duke ndjekur të gjitha sugjerimet apo adresuar të gjitha kritikat e skuadrës së vendosur në dispozicion të këtij projekti nga drejtuesi ekzekutiv i Formula 1. Ambicia është që Shqipëria 2030, të jetë vendi mikpritës i garës së Formula 1, diçka e pakonceptueshme deri para disa kohe. Ky projekt është ekonomi, jo garë me makina sepse në harkun e 360 ditëve të vitit, ky projekt do të krijojë një destinacion, ku në qendrën e vet do jetë siguria rrugore dhe që nga fëmijët vegjël, deri tek më të rritur që ngasin një makinë, do duhet t’i referohen kësaj qendre për testimet përkatëse që do jenë pjesë e të qenit tonë anëtarë të BE”, u shpreh Rama.












