Kryeministri Edi Rama foli për pjesëmarrjen e Kombëtares në “Euro2024”, ku u shpreh se çunat kuqezi u përballën si të barabartë me ekipet e forta.
“Ishte një përfaqësim dinjitoz i Kombëtares, emocione të forta përjetuam të gjithë në Euro 2024. Mund të kishim ca pikë më shumë, por ishim në një grup të vështirë. Unë fola pak me Armando Brojën dhe i thash shiko çfarë mundësie dhe eksperience na është ofruar dhe shiko në çfarë detajesh luhet në këto nivele.
Ne na dënoi goli që shënuam shumë shpejt me Italinë. Njëri nga lojtarët tanë më tha na zuri stadiumi. Bëmë golin dhe ne aty na zuri stadiumi, u futëm në shok. Skuadra ka luajtur një futboll jashtëzakonisht të mirë, unë nuk mbahem për këtë, por të gjithë kështu thonë. Ne me Kroacinë luajtëm shumë më mirë se Italia. Momenti i golit të shënuar nga Bajrami ishte fantastik. Të gjithë ngrihen në këmbë dhe kur unë kthej kokën nga italianët që kisha afër në tribunë ishte një vaki. Ishin të gjithë të ngrirë, në shok“, tha Rama.












