Janë zbardhur detaje të reja nga mbledhja e sotme e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku i pranishëm ka qenë edhe kryeministrit Edi Rama, si dhe ministrat aktual dhe ministrat e rinj.
Në mbledhjen e sotme të grupit të PS-së është diskutuar për ndryshimet në Qeveri dhe në Kuvend, si dhe për përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Gjithashtu, Rama ka vazhduar kritikat ndaj deputetëve të tij, njësoj si në fjalimin e mbajtur në Kongres, teksa u ka thënë se “disa prej tyre nuk e kanë bërë punën siç duhet dhe se nuk e meritojnë të jenë në Kuvend“.
Rama u ka thënë deputetëve se “nga sot deri në prillin e vitit të ardhshëm ata do të jenë në test për një vend në listat e kandidatëve për deputetë“.
Vlen të theksohet fakti se me kodin e ri zgjedhor, 1/3 e listës do të jetë e mbyllur, ku emrat në këtë listë do e kenë të sigurt futjen në Kuvend, nëse partia e tyre arrin të marrë rreth 30% të votave në çdo qark, ndërsa 2/3 e listës më pas do të jetë e hapur, ku edhe një votë e vetyme do të bëjë diferencën.












