Gjatë fjalës së mbajtur para kryebashkiakëve, kryeministri Edi Rama pati ankesa sa i përket rritjes së çmimeve në jug të vendit.
Rama u kërkoi kryebashkiakëve të Vlorës dhe të Sarandës që t’i këshillojnë bizneset në Jug që të ndalin rritjen e palogjikshme të çmimeve.
Rama u ndal me kritika te ajo që po ndodh me çmimet abuzive në Vlorë, duke thënë se “vlonjatët me këtë strategji që po ndjekin të rritjes së çmimeve do të bien në gropën e gjoksit të tyre“.
“Qeveria dhe bashkitë nuk vendosin çmimet, ky është sistemi që kemi zgjedhur dhe nuk vendosim dot çmimet as të hoteleve, as të restoranteve dhe as nuk i kontrollojmë dot. Në Vlorë Ermal, në Sarandë Olti ku janë dy pikat e një rritje absurde të çmimeve është shumë e rëndësishme të flitet me operatorët e hoteleve dhe t’u thuhet që kjo është jo vetëm e padrejtë, por kjo është strategjikisht vetëvrasje për ata vetë. Duhet të flitet që rritja e palogjikshme e çmimeve vjen me një kosto shumë të lartë vitin tjetër. Para se të jetë vonë duhet të komunikohet që çmimet të jenë të arsyeshme. Shikoni Durrësin, Shëngjinin, Velipojën, janë stabël. Vlonjatët janë molla e këtij sherri sepse tani që Vlora është bërë kaq e kërkuar, gropa në gjoksin e vlonjatëve është hapur dhe bërë një gropë ku do bien vetë këta që i ngrenë çmimet në këtë far feje. Është e padrejtë dhe e turpshme për të krijuar një klimë absurde kur sapo kemi hyrë në Champions Leaguen e turizmit të Mesdheut. Vlonjatëve ju kanë dalë edhe sytë edhe nami dhe ju kanë dalë edhe trutë nga vendi atyre që kanë bërë ato hotelet. Edhe nuk dinë se ç’bëjnë” – tha Rama.












