Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmit se Shqipëria ka marrë miratimin për hapjen e negociatave për Grupkapitullin 4, duke e cilësuar një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE.
Kreu i qeverisë theksoi rëndësinë e 4 kapitujve të përfshirë në këtë grupkapitull, që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
“SHQIPËRIA NUK NDALET! Një tjetër hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE. Sot, më 11 qershor 2025, Shqipëria mori dritën jeshile për hapjen e negociatave për Grupkapitullin 4 – “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”. Ky vendim i vendeve anëtare të BE konfirmon përgatitjen tonë dhe progresin konkret në rrugën drejt familjes europiane. Kapitujt përfshijnë: Politikat e transportit (Kapitulli 14), Energjia (Kapitulli 15), Rrjetet trans-europiane (Kapitulli 21), Mjedisi dhe klima (Kapitulli 27). Ky është një hap tjetër drejt Shqipërisë 2030, vend krenar i Bashkimit Europian”, shkruan Rama.












