Mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste që ishte parashikuar të zhvillohej pasditen e kësaj të enjte dhe ishte thirrur nga kryeministri Edi Rama, është anuluar pak para se të niste.
Mësohet se vetë Rama ka anuluar mbledhjen në të cilën tema e diskutimeve do të ishin zgjedhjet e 14 majit dhe diskutimi emër për emër, për kandidatët që do të garojnë për 61 bashkitë e vendit. Mbledhja e kryesisë është anuluar papritur, pasi kryeministri Rama do zhvillojë një darkë informale me kryebashkiakët, ndoshta për të vendosur edhe pikat mbi i për fatin e disave prej tyre.
Mbledhja e sotme në selinë rozë do të zhvillohej 24 orë pasi Rama mblodhi Grupin Parlamentar dhe u komunikoi porositë e fundit, duke u kërkuar të “mos flenë gjumë” dhe se do jenë ata përgjegjës për rezultatin e 14 majit.












