Fortlumturia e tij, Joan Pelushi, është Kryepeshkopi i Ri i Kishës Autoqefale Shqiptare.
Ai pason të ndjerin Kryepeshkopin Anastas Janullatos, ndërsa u zgjodh nga Sinodi i Shenjtë, i cili ka 7 anëtarë.
Përzgjedhja e tij u parapri nga Liturgjia Hyjnore, ndërsa kandidatët për Kryepeshkop ishin edhe Hirësia e tij Dhimitri, Mitropolit i Gjirokastrës, dhe Hirësia e tij Nikolla, përfaqësues i Mitropolitisë së Fierit.
Me votë të fshehtë, Sinodi i Shenjtë votoi për tre emrat e kandiduar nga Këshilli Kleriko-Laik, por në fund titullin më të lartë të Kishës Autoqefale e mori Imzot Joan Pelushi.
Menjëherë pas zgjedhjes, kambanat në të gjitha kishat ortodokse ranë njëkohësisht. Fronëzimi i tij do të kryhet më 29 mars në një ceremoni të madhe e të veçantë.
Tashmë një tjetër figurë e shquar Shqiptare vjen në krye të Kishës Orthodhokse për të vazhduar shërbesën e pandërprerë të Kryepeshkopit. Kujtojmë se disa vite më parë vetë Kryepeshkopi Anastas Janullatos ka thënë se pasardhësi i tij në krye të Kishës do të jetë shqiptar.












